Parandalimi i MMA-së te dosat

Përpunuar nga Klevis Xhardja

SCHAUMALAC M 70

Dosat e prekura nga MMA nuk janë në gjendje të ushqejnë gicat dhe kërkojnë trajtim me antibiotikë. Më poshtë paraqiten 12 pika kyçe për parandalimin e MMA-SË.

12 MASA PËR PARANDALIMIN E MMA-SË
1Kujdes ndaj higjienës së ushqimit nga fusha deri në trog
2Të mos ndryshohet papritur përbërja e ushqimit
3Të reduktohet sasia e ushqimit 1–2 ditë para lindjes
4Të përdoren fibra që ndihmojnë tretjen
5Të ulet pH-i i urinës përmes aditivëve
6Të kontrollohet furnizimi dhe higjiena e ujit
7Materniteti me sistem hyrje-dalje (all-in/all-out)
8Të lahen dosat para futjes në maternitet
9Të pastrohen jashtëqitjet çdo ditë nga boksi
10Ndihmë gjatë lindjes kur ka vonesa apo komplikime
11Të matet temperatura trupore 12–24 orë pas lindjes
12Trajtim i shpejtë i dosave të prekura me antibiotikë

Pas lindjes, disa dosa nuk hanë, kanë temperaturë të lartë dhe nuk prodhojnë mjaftueshëm qumësht. Nga vagina mund të dalë sekrecion me qelb dhe gjëndrat e qumështit janë të skuqura e inflamuara. Kjo gjendje njihet si sindroma MMA – Mastit, Metrit dhe Agalaksi. Shkaktarët janë të ndryshëm: higjiena, ushqimi, stresi, infeksionet dhe menaxhimi i gabuar. Përhapja varion nga ferma në fermë, mund të luhatet nga 5% deri në 20%, por në raste ekstreme, mund të preken deri në 80% e dosave. Prekja nga MMA shpesh kërkon trajtim me antibiotikë, por është shumë më mirë të fokusohemi në parandalim përmes ushqyerjes së kujdesshme, higjienës dhe menaxhimit të mirë.

Kujdesi ndaj cilësisë së ushqimit

Qëllimi kryesor i të ushqyerit synon të parandalojë ngadalësimin e zorrëve dhe rrjedhimisht koonstipacionin. Dosa duhet të mbrohet nga rreziku i infeksioneve të traktit urinar. Këto masa ndihmojnë në reduktimin e toksinave dhe baktereve që shkaktojnë MMA. Patogjenët mund të kalojnë në gjak përmes zorrëve apo ndotin gjëndrat e qumështit përmes jashtëqitjes. Prandaj, është thelbësore që ushqimi të jetë i sigurt, pa toksina dhe mikrobe.

Ngarkesa me toksina: Bazë për një ushqyerje të shëndetshme janë lëndët e para higjienikisht të sigurta. Kjo fillon me optimizimin e praktikave bujqësore, me rotacion kulture dhe mbrojtje bimore për të parandaluar mykotoksinat dhe ndotjen mikrobike. Pastrimi dhe ruajtja e korrjes si dhe higjiena në depo dhe sistemet automatike të ushqyerjes janë thelbësore. Optimizimi i mëtejshëm i higjienës së magazinimit dhe silos, duke përfshirë sistemet automatike të ushqyerjes, kontribuon në ushqyerjen më të mirë të mundshme dhe të shëndetshme.

Ndryshimi i komponentëve: Analiza e lëndëve të para është e domosdoshme për të përgatitur racione të përshtatshme. Lëndët e para në ushqimin e dosave barëse duhet të përfshihen edhe në ushqimin e laktacionit për të mbajtur florën intestinale të qëndrueshme gjatë lindjes. Ndryshimet e papritura mund të çojnë në rritje të baktereve të dëmshme.

Rregullimi i sasisë së ushqimit: Regjimi ushqimor gjatë barsmërisë dhe para lindjes është vendimtar. Dosa të dhjamosura kanë lindje më të zgjatura dhe përkeqësojnë gjendjen fizike. Prandaj, synoni të arrini kondicion optimal në fillim të barsmërisë. 1–2 ditë para lindjes, sasia e ushqimit duhet të reduktohet në 2–3 kg/ditë për të lehtësuar tretjen. Pas lindjes, sasia duhet të rritet gradualisht me ~0.5 kg në ditë

Përshtatja e racionit ushqimor

Fibrat: Për të nxitur funksionin e zorrëve dhe për të parandaluar konstipacionin, përdorni fibra dietike. Në ushqimin e barsmërisë, përmbajtja e fibrave duhet të jetë ≥6.5%, ndërsa në ushqimin e laktacionit të paktën 5%. Fermentimi bakterial në zorrë kontribuon në formimin e acideve yndyrore të lira, të cilat mund të parandalojnë përhapjen e baktereve të padëshiruara në zorrën e trashë. Tretja e fibrave gjithashtu siguron një çlirim më të vazhdueshëm të energjisë, gjë që është veçanërisht e rëndësishme gjatë lindjes së gjatë.

Aditivët: Vlerat e pH-it të urinës në diapazonin acid janë të dëshirueshme, pasi ato parandalojnë shumëzimin e lehtë të mikrobeve. Kjo zvogëlon rrezikun e infeksionit në organet urinare dhe gjenitale. Një ekuilibër i optimizuar i elektroliteve në ushqimin përgatitor dhe/ose të laktacionit përmes shtimit të lëndëve të para acidike dhe kripërave mund të ulë pH-in e urinës. Marrja adekuate e kalciumit gjithashtu ndihmon në parandalimin e infeksioneve të traktit urinar. Përdorimi i acideve organike dhe probiotikëve mund ta mbrojë më tej ushqimin.

Furnizimi me ujë: Dosat duhet të pinë ujë menjëherë pas lindjes. Jepuni ujë edhe në trog nëse sistemi me nipla është i ndryshëm. (Shpejtësia e rrjedhës-1 deri në 2 litra në minutë) Pastroni dhe dezinfektoni tubat rregullisht – biofilmi i mbledhur në to është burim infeksioni.

Lufta kundër mikrobeve

Përdorimi i stallës: Rekomandohet sistem hyrje-dalje për repartet e lindjes. Grupet e dosave dhe madhësia e stalles duhet të përshtaten për të ruajtur uniformitetin. Midis çdo përdorimi, bokset duhet të pastrohen dhe dezinfektohen plotësisht. Këshillë: Kontrolloni herë pas here efektivitetin e dezinfektuesit që përdorni.

Larja e dosave: Dosat duhet të futen në repartin e lindjes rreth ditës së 110-të të shtatzënisë. Para futjes në repart, ato duhet të lahet me detergjent për kafshë, për të hequr parazitët e jashtëm, patogjenët dhe papastërtitë nga lëkura. Sipërfaqet e fjetjes duhet të jenë të thata, sepse lagështia ndihmon në ftohjen e shpejtë të gjëndrave të qumështit, çka e favorizon zhvillimin e MMA. Rrymat e ajrit në zonën e fjetjes duhet të shmangen.

Higjiena në bokse: Për të mbajtur sipërfaqet/ zonat e shtrirjes dhe kafshët të pastra dhe të thata, mund të përdoret një shtresë dezinfektuese me përbërje alkaline, e përshtatshme për lëkurën. Ky pluhur mund të përdoret edhe për tharje të gicave të sapolindur. Në boksët e zakonshëm, dheu dhe jashtëqitjet pas dosës duhet të pastrohen çdo ditë. Përdorimi i klapave ose vrimave për jashtëqitje e bën këtë punë më të lehtë.

Ndihma gjatë lindjes: Nëse lindja zgjat ose ka shumë gica të ngordhur, rreziku për MMA rritet ndjeshëm. Ndihma gjatë lindjes duhet të jepet jo më vonë se 40 minuta pas lindjes së gicit të fundit. Duhet të respektohen masat paraprake higjienike. Mund të administrohet një injeksion intramuskular me 10 IU oksitocinë pas veshit, për të ndihmuar nxjerrjen e placentës, e cila duhet të përfundojë brenda katër orëve nga lindja e fundit. Edhe në rastet e shtatzënive të tejzgjatura, rritet rreziku i MMA-së, prandaj pas ditës së 114 mund të jetë e dobishme induksioni hormonal i lindjes.

Trajtimi efektiv i MMA-së

Kontrolli i temperaturës: Pas lindjes, duhet vlerësuar gjendja e përgjithshme, oreksi dhe sjellja e dosës dhe gicave. Matja e temperaturës duhet të bëhet 12–24 orë pas lindjes dhe të përsëritet për të ndjekur ecurinë.Temperatura kritike për ndërhyrje është 39.5 °C. Rezultatet duhet të dokumentohen në kartelën e dosës ose në murin e boksit.

Përdorimi i antibiotikëve: Fillimisht mund të provohet kontrolli i infeksionit me antiinflamatorë, që ndihmojnë në uljen e temperaturës dhe përmirësimin e gjendjes. Në rastet e rënda është e domosdoshme përdorimi i antibiotikëve, gjithmonë në bashkëpunim me veterinerin. Zgjedhja e preparatit është vendimtare. Për trajtim të suksesshëm, rekomandohet testimi i rezistencës bakteriale përpara përdorimit të antibiotikut.

Përmbledhje

MMA mund të dëmtojë rëndë rendimentin e dosës, si dhe të shkaktojë dëme të përhershme në gjëndrat e qumështit. Duke qenë se MMA është një sëmundje multifaktoriale, parandalimi kërkon optimizimin e ushqyerjes, higjienës dhe menaxhimit përreth lindjes. Një checklist me masat më të rëndësishme mund të ndihmojë shumë në praktikë. Dosat e prekura duhet të trajtohen shpejt, në mënyrë të synuar dhe për një kohë të mjaftueshme me antibiotikë, ndërkohë që përdorimi i antiinflamatorëve është i rekomanduar në konsultim me veterinerin.