Shkaqet dhe masat kundër kafshimit të bishtit te derrat

Përpunuar nga Klevis Xhardja

SCHAUMALAC M 70

Derrat e majmërisë

Kur shfaqet kafshimi i bishtit në stallën e derrave, së pari duhet kontrolluar gjithmonë klima e stallës! Kafshimi i bishtit te derrat, i cili herë pas here shoqërohet me kanibalizëm pasues, i atribuohet kryesisht ndikimeve të ndryshme mjedisore. Shkaku i jashtëm është zakonisht një dëmtim i bishtit, pas të cilit kafshët “lëpijnë gjak” dhe kështu tërheqin vëmendjen e shokëve të tyre.

Lagështia e tepërt e ajrit në stallë rrit agresivitetin e derrave. Po ashtu, përqendrimet e larta të gazrave të dëmshëm (sidomos amoniaku), rrymat e ajrit, mbipopullimi dhe mbajtja pa shtresë në dysheme me grila mund ta thellojnë problemin.

Ndonjëherë, edhe mërzitja (ose mungesa e stimulimit mjedisor) e këtyre kafshëve shumë inteligjente bëhet përgjegjëse për kafshimin e bishtit. Në këto raste, shpesh ndihmon ofrimi i kashtës ose lodrave në formën e zinxhirëve metalikë apo objekteve të ngjashme në box.

Por duhet analizuar me kujdes edhe aspekti i ushqyerjes. A është ndryshuar kohët e fundit formula e ushqimit? Mungesa e proteinave, si dhe përmbajtja tepër e lartë e energjisë nga drithërat (si gruri dhe misri), kur shoqërohen me mungesë të fibrave ushqimore, janë shkaku më i shpeshtë. Gjithashtu diskutohet një mungesë e mineraleve dhe vitaminave, si dhe prania e mundshme e mikotoksinave në ushqim. Shtimi i përzierjeve të posaçme minerale dhe aromatizuese siguron përgjithësisht kafshë më të qeta dhe të ekuilibruara, dhe kështu, në një farë mase, mund të kontribuojë në reduktimin e problemit të kafshimit të bishtit. Ndërsa akaridet e zgjebes (Räudemilben) bëhen përgjegjëse kryesisht për kafshimin e veshëve, te kafshimi i bishtit duhet menduar gjithashtu për një prani të mundshme të parazitëve të brendshëm (krimbave) te kafshët.

Lëkundja e shtuar e bishtave të derrave tërheq vëmendjen e kafshëve të tjera të grupit, të cilat më pas fillojnë të luajnë me bishtin. Kur rrjedh gjaku i parë, kanibalizmi fillon shpejt. Në thelb, në box-in e prekur duhet kontrolluar gjithashtu valvulat e ujit të pijshëm. Këto mund të bllokohen nga papastërtitë. Edhe mungesa e ujit do të ishte një shkak i mundshëm për çrregullimin e sjelljes në fjalë.