Dosat në formë optimale përmes të ushqyerit sipas gjendjes trupore
Përpunuar nga Klevis Xhardja
Prodhimi i qumështit mbi 10 kg në ditë gjatë periudhës së laktacionit nuk paraqet asnjë problem gjenetik për linjat aktuale të dosave. Megjithatë, ato duhet të kenë mundësinë të prodhojnë këto sasi qumështi. Me ushqim të përshtatur sipas gjendjes trupore, sipas konceptit Schaumann, dosat gjatë shtatzënisë dhe laktacionit arrijnë në formën e duhur. Që gjatë shtatzënisë vendosen bazat kryesore për kapacitetin prodhues të dosave gjatë periudhës së laktacionit. Një furnizim i synuar me lëndë ushqyese dhe energji në fazat e ndryshme të prodhimit përcakton rrjedhën. Formula e suksesit është: një ushqim i veçantë për periudhën e shtatzënisë dhe një tjetër për laktacionin. Një ushqyerje e përshtatshme sipas gjendjes trupore do të thotë: dosat e reja në momentin e lindjes duhet të kenë arritur shkallën e kondicionit rreth 4, ndërsa dosat e vjetra 3,5 deri 4,0. Pas shkëputjes, sasia ditore e energjisë nga ushqimi i laktacionit duhet të ulet për një ditë në 20 MJ ME dhe më pas, deri në mbarsjen e suksesshme, të rritet në 40 MJ ME në ditë. Dosat e reja, në momentin e futjes në qendrën e çiftëzimit, marrin menjëherë 40 MJ ME në ditë. Më pas ato kalohen në ushqim për shtatzëni me një sasi energjie prej 30 MJ ME në ditë. Kjo sasi ruhet për të paktën 7 ditë, në mënyrë që niveli i progesteronit të mbetet në ekuilibër. Në varësi të gjendjes trupore të dosave, deri më së voni në ditën e 84-të të shtatzënisë aplikohet ushqyerja sipas kondicionit. Dosat me shkallë kondicioni 2,5 marrin një shtesë prej 10 MJ ME, ndërsa ato me shkallë 3 një shtesë prej 5 MJ ME në ditë, derisa të arrihet gjendja e dëshiruar trupore 3,5–4. Gjendja trupore kontrollohet çdo dy javë dhe sasia e energjisë përshtatet sipas nevojës. Që nga dita e 85-të e shtatzënisë e tutje, sasia e energjisë caktohet në mënyrë konstante në 40 MJ ME në ditë për të gjitha dosat, duke u siguruar njëkohësisht që deri në ditën e fundit të shtatzënisë furnizimi me lëndë ushqyese i fetusëve të jetë i garantuar. Kjo do të ndikojë pozitivisht në rezervat e lëndëve ushqyese të dosave dhe në peshën e lindjes së gicave.
Lindje e lehtë
Për një lindje pa probleme është e rëndësishme të parandalohet kapsllëku që provokon MMA-në dhe të trajnohet mobilizimi i kalciumit. Për këtë arsye, që nga dita e 110-të e shtatzënisë duhet të përdoret një ushqim i veçantë për përgatitjen e lindjes me densitet të lartë ushqyes, me substanca laksative dhe stabilizuese të zorrëve, si dhe me bilanc të ulët kation-anion. Që nga dita e 113-të e shtatzënisë, sasia e ushqimit ulet gradualisht deri në 2 kg në ditën e lindjes. Meqenëse data e lindjes nuk mund të parashikohet saktësisht, kjo ulje e ushqimit nuk duhet të bëhet shumë herët, pasi përndryshe dosa do të kishte rezerva të pamjaftueshme energjie për zhvillim optimal të fetusëve, një proces të shpejtë lindjeje dhe formimin e nevojshëm të qumështit të parë (kolostrumit). Fermat me sinkronizim të lindjes kanë avantazh në këtë pikë.
Prodhim i lartë qumështi me humbje të moderuara të kondicionit
Në asnjë rast nuk duhet të kryhet një ndërrim ushqimi në të njëjtën kohë me stresin e lindjes. Kafshët duhet të ushqehen me kujdes dhe në mënyrë të balancuar. Përndryshe, mund të ndodhë refuzim i plotë i ushqimit, çrregullime metabolike dhe humbje më të larta të gicave. Sasia e ushqimit, e cila ulet para lindjes, pas lindjes rritet gradualisht me shtesa ditore prej rreth 0,5 kg deri në nivelin e nevojshëm, në fakt deri në ushqim të plotë. Te dosat veçanërisht në formë të mirë, deri në ditën e 7–9 të laktacionit duhet të arrihet një konsum ditor ushqimi mbi 7 kg. Te dosat që kanë pasur më shumë stres gjatë lindjes (p.sh. dosat e reja, lindjet e vështira, kompleksi MMA, etj.), ky proces mund të zgjasë 11 deri në 13 ditë. Rritje ditore të pjellës mbi 2,5 kg, që do të thotë prodhim qumështi mbi 10 kg në ditë, mund të realizohen pa humbje të masës trupore të dosave mbi 20 kg. Parakusht për këtë është që të sigurohet një konsum ditor energjie mbi 90 MJ ME. Sasi të larta ushqimi mund të arrihen vetëm nëse dosat në periudhën e laktacionit e marrin ushqimin gjithmonë të freskët në grazhd dhe në disa racione. Dosave në repartin e lindjes duhet t’u vihet gjithmonë në dispozicion ujë i pijshëm me cilësi higjienike të përsosur. Furnizimi i mjaftueshëm me ujë gjatë laktacionit është parakusht bazë për një marrje ushqimi të balancuar dhe pa dëmtim të kondicionit.


+355 (0) 44813303
agri@ap.com.al

