KËSHILLA PËR PËRDORIMIN E VENTILATORËVE NË STALLAT E LOPËVE
Përpunuar nga Kristian Maka
Sistemet e ftohjes dhe ventilimit nuk duhet të mungojnë në asnjë fermë gjedhi, për shkak të periudhave gjithnjë e më të gjata dhe më intensive të vapës. Me instalimin e ventilatorëve aksialë, bëhet e mundur përballimi me sa më pak stres i temperaturave dhe lagështisë më të lartë në stallë nga lopët e qumështit. Si një përfitim shtesë i vlefshëm, në stallë reduktohet përqendrimi i gazrave të dëmshëm, si amoniaku. Me rritjen e prodhimit të qumështit, rritet performanca metabolike dhe gjithashtu prodhimi i nxehtësisë së trupit në lopët e qumështit. Gama e temperaturës në të cilën lopët e qumështit ndihen më rehat është midis -5 dhe +16°C. Lagështia relative gjithashtu ndikon në rregullimin e temperaturës së trupit të lopëve. Kur lagështia është më e lartë, lopët e kanë më të vështirë të ftohen duke djersitur, sepse ajri mund të absorbojë më pak avuj uji. Ventilimi duhet të përdoret që në momentin që temperature shkon rreth 20°C. Qëllimi kryesor i ventilatorëve është heqja e shtresës së ngrohtë dhe të lagësht të ajrit rreth trupit të lopëve. Për të arritur këtë, duhet të arrihet një shpejtësi prej të paktën 2.5 m/sek në zonën përreth kafshëve. Në stallë rekomandohet ftohja e bokseve ku shtrihen lopët, zona e ushqimit, zona e pritjes, zona e mjeljes, zonat ku qëndrojnë lopët në periudhën e tharjes, lopët mjelëse, të sëmura etj. Prioritet duhet të jetë ftohja me ventilatorë e bokseve të shtrirjes, sepse lopët kalojnë aty 12 deri në 14 orë të shtrira çdo ditë. Në varësi të kushteve teknike të stallës, ventilatorët mund të instalohen për së gjati dhe tërthor. Nëse është e mundur, përparësi duhet t’i jepet instalimit në një drejtim gjatësor.
Instalimi në drejtim gjatësor
Kur ventilatorët instalohen për së gjati, ajri duhet të thithet përgjatë drejtimit kryesor të erës ose nga pjesa e jashtme e stallës ku ajri është më i freskët. Për ta realizuar këtë, ventilatorët e parë mund të instalohen në murin sipër hyrjes së stallës ose në një distancë prej përafërsisht 1,5 deri në 2 m prej tij. Në këtë mënyrë, në stallë mund të futet ajri i freskët shtesë. Duhet të ketë një hapje në anën e kundërt të stallës përmes së cilës ajri mund të qarkullojë. Numri dhe pozicioni i saktë i ventilatorëve varet nga lloji i stallës (stalla me një rresht, me shumë rreshta) dhe madhësia e stallës. Distanca e hedhjes së ajrit, në mënyrë që ajri nga ventilatori të shkojë deri te lopa, tregon distancën maksimale midis dy ventilatorëve njëri pas tjetrit. Si rregull për distancën mund të përdoret formula, diametri i ventilatorit x 10. Nëse bokset janë vendosur në rresht përballë njëra-tjetrës, mund të përdoret një ventilator i veçantë për çdo rresht boksesh.
Instalimi i ventilatorëve në drejtim tërthor
Për ajrosje tërthore, zakonisht është një ide e mirë që ventilatorët të montohen mbi zonën e ushqimit. Vendosja në këtë pozicion thith më pak ajër të freskët, por nga ana tjetër mundëson freskimin e më shumë bokseve kur shtrihen lopët. Kur ventilatorët instalohen në murin e jashtëm, furnizimi me ajër të pastër është më i mirë, por përfitojnë më pak bokse.
Pozicionimi dhe rregullimi
Lartësia e instalimit (skaji i poshtëm) për ventilatorët pa grilë mbrojtëse duhet të jetë 2,70 m mbi dyshemenë e qëndrueshme. Nëse kjo nuk është e mundur, duhet të përdoren grila mbrojtëse, por këto kërkojnë më shumë mund për pastrim. Të dhënat e performancës dhe këndi i zgjedhur i pjerrësisë (15 deri në 25° C) janë vendimtare për distancën deri ku shkon ajri që qarkullon ventilatori. Për të parandaluar që ventilatorët të “lëkunden”, ata duhet të fiksohen mirë.
Kontrolloni distancën dhe shpejtësinë e lëvizjes së ajrit
Funksionaliteti mund të kontrollohet pas instalimit duke përdorur fishekë tymi (makinë për mjegull) dhe një pajisje matëse të shpejtësisë së erës. Në varësi të numrit, llojit të ventilatorit dhe orëve vjetore të punës, kostot e energjisë elektrike variojnë nga 12 deri në 25 Euro për lopë në vit. Çmimi aktual i energjisë elektrike dhe përdorimi i mundshëm i energjisë elektrike nga sistemet fotofoltaike (PV) ndikojnë në kosto. Kostot e blerjes së ventilatorëve si dhe kostot e energjisë janë joproporcionale nëse krahasohen me humbjet ekonomike të shkaktuara nga “stresi i nxehtësisë”, të cilat janë më të larta për fermerët.