Si të shmangim stresin nga nxehtësia në stallën e derrave
Përpunuar nga Klevis Xhardja
Numri i ditëve me mbi 25 gradë është rritur prej vitesh. Por temperaturat e larta ulin tek derrat si marrjen e ushqimit ashtu edhe shtimin ditor në peshë, gjë që zgjat kohën e majmërisë. Ka disa pika kryesore ku mbarështuesit e derrave mund të ndërhyjnë për t’ua lehtësuar kafshëve temperaturat e larta të verës. Kur gjatë verës ngrihen temperaturat, fermerët përballen rregullisht me sfidën për t’i mbrojtur derrat e tyre nga stresi i nxehtësisë. Sepse që nga 25°C jashtë bëhet kritike për derrat: frekuenca e frymëmarrjes rritet dhe ata kanë nevojë për freskim. Po ashtu pinë më shumë ujë dhe hanë më pak. Nxehtësia e zgjatur mund të çojë në komplikime shëndetësore (probleme me qarkullimin, dobësi, diarre). Gjithashtu vërehet edhe shtim i sjelljeve të padëshiruara (agresivitet, kanibalizëm). Prandaj është e rëndësishme që që në planifikim dhe ndërtim të stallës të mendohet për ftohjen dhe të optimizohen të gjithë faktorët shoqërues.
Kontrollimi i hijëzimit të stallës
Rrezet direkte të diellit shkaktojnë ngrohje të fortë të stallës. Për të mbajtur një pjesë të madhe të nxehtësisë jashtë, stalla duhet të orientohet në drejtim veri-jug që dielli i mesditës të mos bjerë drejtpërdrejt mbi çati. Duhet parashikuar një dalje çatie prej 60–80 cm që sidomos për dritaret e mëdha mbron derrat nga rrezet direkte të diellit. Grilat, xhami i qumështit, panelet e holla të izolimit ose foliet errësuese tek dritaret janë të dobishme pasi lënë më pak rreze të kalojnë. Gjithashtu, shkurret ose pemët me gjethe në anën me diell japin hije dhe e mbajnë rrezatimin larg stallës. Dyert e stallës gjatë verës duhet të qëndrojnë të mbyllura në mënyrë që nxehtësia të hyjë më ngadalë brenda.
Përmirësimi i izolimit
Masa më efektive për ftohjen e një stalle derrash është izolimi i mirë termik. Çatia dhe tavani duhet të izolohen me kujdes që stalla të nxehet më pak. Koeficienti i kalimit të nxehtësisë i tavanit duhet të jetë më i vogël se 0,25 W/m²K. Muret e jashtme duhet të jenë të trasha, të paktën 10 cm, që ndërtesa të mbetet dukshëm më e freskët. Kërkesat minimale për mbrojtjen termike janë: muret e jashtme 0,40 W/m²K, tavani 0,35 W/m²K, dritaret e jashtme 4,30 W/m²K dhe dyert e jashtme 1,00 W/m²K. Materialet më të përshtatshme për izolim janë shkumë poliuretani, polistireni dhe polistireni i ekstruduar, të përdorura në trashësi të mjaftueshme.
Masa ndërtimore për të shmangur hyrjen e nxehtësisë
Masat ndërtimore për të shmangur hyrjen e nxehtësisë përfshijnë hijëzimin e stallës dhe të hyrjeve të ajrit, gjelbërimin e çatisë dhe të mureve, mbulesën e çatisë me ngjyrë të hapur, izolimin e çatisë dhe tavanit, mure me vlera të ulëta kalimi termik, orientimin e ndërtesës në drejtim veri-jug, daljen e çatisë, planifikimin e drejtimit të ajrit të freskët dhe mundësinë për errësimin e sipërfaqes së dritareve.
Optimizimi i ventilimit
Për të mbajtur sa më të ulëta pasojat e stresit të nxehtësisë, kërkohet një planifikim i saktë i ventilimit të stallës. Qysh në ndërtim duhet të planifikohet një sistem ventilimi me përmasa të mjaftueshme. Pika e thithjes së ajrit të freskët duhet të vendoset në zonë të hijëzuar, për shembull në anën veriore ose lindore, në mënyrë që brenda të hyjë ajër më i freskët. Sistemi i ventilimit duhet të jetë i përshtatshëm që ajri i freskët të arrijë tek koka e kafshëve. Dimensionimi i tij duhet të jetë i mjaftueshëm për të shmangur rrymën e tepërt të ajrit, pasi korrenti duhet të evitohet. Duhet shmangur gjithashtu qarkullimi i gabuar i ajrit, të kontrollohen cilësimet e kompjuterit të klimës, ventilatorët të kontrollohen rregullisht dhe çdo defekt të riparohet menjëherë. Po ashtu, është e domosdoshme të zbulohen dhe eliminohen burimet e gabimeve në sistemin e ventilimit dhe të merret këshillim profesional.
Mbajtja pastër e kanaleve të ajrit
Është shumë e rëndësishme pastrimi i rregullt i sistemit të ventilimit (kanalet e ajrit hyrës dhe dalës, filtrat). Pluhuri i depozituar ngushton prerjet e kanaleve dhe tehet e ventilatorëve, duke ulur efikasitetin e ventilimit.
Të vendosen sipërfaqe të ftohta për shtrirje
Derrat kërkojnë sipërfaqe ftohëse ku mund të shtrihen, p.sh. beton i zhveshur ose grila. Për këtë arsye, nuk duhet të mbushen me kashtë të gjitha bokset, në mënyrë që të mbeten zona të lira ku derrat mund të shtrihen dhe të ftohen duke pasur kontakt të drejtpërdrejtë me tokën.
Të krijohet më shumë hapësirë në stallë
Nëse u jepet derrave më shumë hapësirë për t’u ftohur dhe përmirësohet qarkullimi i ajrit në ndarjet e stallës, atëherë edhe dendësia e kafshëve në stallë duhet të mbahet sa më e ulët.
Zona me hije në mbajtjen e lirë
Kur derrat mbahen në ambient të hapur, atyre u duhen zona të mjaftueshme me hije për t’u mbrojtur nga dielli. Këtë funksion mund ta kryejnë p.sh. shkurret dhe pemët me gjethe. Në mungesë të tyre mund të përdoren gjithashtu çadra alumini ose tenda të vendosura në mënyrë që të reflektojnë sa më shumë rrezet e diellit. Pema të degëzuara gjithashtu janë treguar të dobishme si strehë kundër diellit.
Furnizimi me ushqim
Derrat ulin prodhimin e nxehtësisë së tretjes duke ngrënë më pak gjatë periudhave të nxehta. Për të siguruar që edhe në verë ata marrin mjaftueshëm energji, duhet të përshtaten racione ushqimi sipas periudhës. Gjatë ditëve shumë të nxehta, ushqimi duhet të jepet herët në mëngjes ose vonë në mbrëmje. Furnizimi me ushqim duhet të jetë sa më i tretshëm dhe me përmbajtje të lartë energjie. Racionet e ushqimit të përqendruar nuk duhet të rriten më shumë se 2,5 herë. Përqendrimi i energjisë në racione mund të rritet përmes shtimit të yndyrave dhe vajrave. Një pjesë e fibrave të ushqimit duhet të zëvendësohet me karbohidrate më të tretshme për të shmangur prodhimin e panevojshëm të nxehtësisë. Gjithashtu, shtimi i aditivëve ndihmon në tretje dhe përmirëson ekuilibrin e elektroliteve.
Higjiena e pajisjeve të ushqimit shumë e rëndësishme
Higjiena e pajisjeve të ushqimit ka rëndësi vendimtare, sidomos gjatë periudhës së verës. Pajisjet e ushqimit duhet të pastrohen rregullisht, ndërsa pajisjet e ushqimit me lëngje duhet të shpëlahen disa herë në ditë për të shmangur formimin e mikrobeve në tubacion.
Qetësia në stallë
Aktiviteti i derrave e rrit ndjeshëm prodhimin e nxehtësisë së trupit. Për këtë arsye është e rëndësishme që gjatë periudhave të nxehta kafshët të mos shqetësohen më shumë seç është e nevojshme. Punët e stallës duhet të kryhen herët në mëngjes ose vonë në mbrëmje. Kujdesi shëndetësor dhe matjet e kafshëve duhen bërë në mëngjes ose në ditë më të freskëta.