Igloo individuale – strehimi ideal për viçat e porsalindur

Përpunuar nga Klevis Xhardja

Icon RINDAMAST UNI

Igloot individuale përbëjnë një nga sistemet më të sigurta dhe më efektive të strehimit për viçat e porsalindur, pasi ofrojnë një klimë të qëndrueshme, ajrim të mirë dhe presion shumë të ulët mikrobik. Shumë probleme shëndetësore të viçave, si diarreja, inflamacioni i kërthizës apo infeksionet respiratore, janë multifaktoriale dhe lidhen me kombinimin e gabimeve në ushqyerje, higjienë dhe strehim. Për këtë arsye, zhvendosja e viçit menjëherë pas tharjes në një sipërfaqe të pastër dhe të thatë është thelbësore, duke shmangur kontaktin me lopët dhe viçat e tjerë gjatë dy javëve të para të jetës. Në këtë fazë, presioni i mikrobeve duhet të jetë sa më i ulët, dhe çdo mjedis i ngrohtë, i lagësht apo i ndotur rrit menjëherë rrezikun e sëmundjeve.

Igloot individuale konsiderohen formati më i përshtatshëm i strehimit, pasi sigurimi i ajrit të pastër dhe rrezatimi UV ndikon pozitivisht në reduktimin e patogjenëve. Megjithatë, shumë gabime të zakonshme i prishin përfitimet e këtij sistemi, si përdorimi i igloove të papërshtatshme, vendosja e tyre në ndërtesa të mbyllura, mungesa e higjienës ndërmjet përdorimeve, vendosja e shumë viçave në një igloo apo futja e vonuar e viçit në strehë. Çdo igloo duhet të pastrohet plotësisht, të ketë shtrat të bollshëm prej kashte dhe të sigurohet që viçi të futet menjëherë pas lindjes, edhe në temperaturat e ulëta të dimrit, pasi ajri i ftohtë nuk përbën rrezik për një viç të shëndetshëm.

Vendosja e igloove duhet bërë në ambiente të jashtme, në një vend të thatë dhe me hije gjatë verës, duke shmangur qëndrimin nën diell të fortë apo në sipërfaqe të kontaminuara. Igloot duhet të kenë distanca të mjaftueshme mes tyre për të shmangur lëpirjen midis viçave dhe për të reduktuar përhapjen e mikrobeve. Gjithmonë duhet strehuar vetëm një viç për igloo, pasi strehimi në dysh apo në grupe rrit shumë rrezikun e infeksioneve. Ky sistem kërkon gjithashtu që viçat të marrin mjaftueshëm energji nëpërmjet qumështit, pasi qëndrimi jashtë rrit nevojat energjetike.

Shifrat tregojnë qartë avantazhin e igloove individuale: vetëm 17% e viçave pësojnë diarre në dy javët e para të jetës në krahasim me 61.5% kur qëndrojnë me lopët. Megjithatë, duhet kuptuar se iglooja nuk është zgjidhje magjike; suksesi varet nga kombinimi i higjienës, ushqyerjes, menaxhimit të kolostrumit dhe kushteve optimale të strehimit. Përmirësimi i vetëm njërit prej faktorëve nuk është i mjaftueshëm — menaxhimi i mirë kërkon qasje të plotë dhe të koordinuar në të gjitha hallkat e kujdesit ndaj viçit.