Biosiguria në fermat e derrave – masa efektive për ndërprerjen e zinxhirëve të infeksionit

Përpunuar nga Klevis Xhardja

SCHAUMALAC M 70

Shpesh nuk është e lehtë të zbatohet në mënyrë konsekuente ndarja “e zezë dhe e bardhë” dhe të ndërpriten në mënyrë efektive zinxhirët e infeksionit, sidomos në komplekset blegtorale me shumë punonjës. Këshillat e mëposhtme ndihmojnë në këtë drejtim.

Patogjenët mund të futen lehtësisht në fermë. Si mjedisi, ashtu edhe kafshët e infektuara mund të shkaktojnë (ri)infeksione me patogjenë. Për të ndërprerë në mënyrë efektive zinxhirët e infeksionit, të gjithë punonjësit duhet të zbatojnë pa përjashtim ndarjen “e zezë dhe e bardhë” kur hyjnë në stallë. Hapat e mëposhtëm ndihmojnë për të arritur një nivel të lartë të biosigurisë – edhe në fermat me shumë punonjës.

Patogjenët e sëmundjeve të kafshëve janë në gjendje të përhapen shpejt në distanca të gjata. Një rajon me dendësi të lartë të kafshëve është i ekspozuar ndaj një presioni më të lartë të emetimit sesa një rajon me një numër të vogël të tyre. Hyrja dhe dalja duhet të bëhen më së miri nëpërmjet rrugëve të ndryshme. Një mbrojtje nëpërmjet një gardhi ose shkurreje mbron gjithashtu fermën nga automjetet e huaja. Gjatë ndërrimit të vendndodhjes, automjetet dhe pajisjet duhet të pastrohen dhe dezinfektohen në mënyrën e duhur.

Këshillë: Shënoni qartë hyrjen dhe daljen e fermës dhe caktoni vende parkimi.

Shmangia e vendeve të lagështa në fermë

Edhe toka përreth ndërtesës së stallës ndikon ndoshta në shëndetin e kafshëve në stallë. Këshillohet që uji i larjes të grumbullohet dhe të mos qëndrojë në sipërfaqen përpara ndërtesës. Kjo parandalon që automjetet ose personat të bartin përsëri në stallë patogjenët që janë larguar më herët. Pellgjet përbëjnë rrezik infeksioni edhe gjatë periudhave të gjata reshjesh. Prandaj, duhet të siguroheni që sipërfaqet pranë ndërtesave të thahen shpejt dhe të mos lejohet që uji të ngelet në to.

Këshillë: Mbajeni bimësinë të shkurtër, mbushni pellgjet dhe gëlqerosni sipërfaqet përreth sipas nevojës.

Zbatimi i higjienës së personelit

Hyrjet higjienike funksionale, si dhe dokumentimi dhe kufizimi i qarkullimit të personave, parandalojnë transmetimin e sëmundjeve nga vizitorët dhe punonjësit. Pastrimi dhe dezinfektimi i plotë i duarve janë masa të thjeshta, por thelbësore për fermerët dhe punonjësit e tyre. Pastrimi dhe dezinfektimi i duhur kërkon kohë dhe vëmendje – nuk duhet të harrohen zonat midis gishtërinjve, thonjtë dhe veçanërisht gishti i madh, i cili përdoret vazhdimisht. Dorezat ofrojnë një mbrojtje të shtuar. Orët dhe bizhuteritë duhet të lihen në dhomën e zhveshjes dhe thonjtë të mbahen të shkurtër.

Një vështrim i shpejtë

  • Për të ndërprerë në mënyrë efektive zinxhirët e infeksionit, të gjithë punonjësit duhet të zbatojnë në mënyrë konsekuente ndarjen “e zezë dhe e bardhë” kur hyjnë në stallë.
  • Sasi të mëdha ndotjesh organike në vaskat dezinfektuese për çizmet mund të ndikojnë në efektivitetin e dezinfektuesit.
  • Duhet të siguroheni që të mos ketë vende tërheqëse folezimi për brejtësit në stallë, si qoshet e fshehura apo mbetje ushqimore poshtë silosëve.
  • Kontrollet, si marrja e mostrave apo dokumentimi, ndihmojnë në mbajtjen e një niveli të lartë higjiene për çdo punonjës.

Këshillë: Merrni seriozisht dokumentimin e vizitave në stallë dhe aplikoni një periudhë izolimi 48-orëshe për vizitorët e jashtëm përpara hyrjes në fermë.

Mirëmbajtja e rregullt e vaskave dezinfektuese

Kur vaskat përmbajnë sasi të mëdha ndotjesh organike, efektiviteti i dezinfektuesve zvogëlohet. Këshillohet që vaskat të rifreskohen të paktën një herë në javë dhe çizmet të pastrohen paraprakisht me ujë ose furçë.

Këshillë: Vendosni një fletë të laminuar mbi vaskat, ku të shënohet data e fundit e rifreskimit të solucionit.

Përdorimi i materialeve të veçanta për çdo zonë pune

Ndërrimi i çizmeve para dhe pas hyrjes në stallë është masë shumë efektive. Rekomandohet përdorimi i rrobave, çizmeve dhe pajisjeve të veçanta për çdo stallë apo zonë pune. Një barrierë fizike (p.sh., një stol ose një shirit në dysheme) ndihmon për të organizuar më mirë ndarjen higjienike në rrjedhën e përditshme të punës. Çizmet dhe pajisjet duhet të pastrohen dhe dezinfektohen përpara se të ripërdoren.

Parandalimi konsekuent i kafshëve të egra dhe dëmtuesve

Zogjtë e egër mund të fusin patogjenë si salmonela apo viruse influencash. Përdorimi i rrjetave ose telave me gjemba mund të parandalojë folezimin nën çati. Brejtësit janë gjithashtu bartës të mundshëm të patogjenëve. Parandaloni krijimin e foleve të tyre duke eliminuar vendet e fshehta dhe duke mbajtur pastër zonat poshtë silosëve. Brumbujt mund të përhapin patogjenë bakterialë (si salmonela, E. coli), viralë (influenca) dhe parazitë (kokcidia). Kontrolli me kurthe ngjitëse ndihmon në ndërhyrjen e hershme. Si një masë parandaluese, këshillohet gjithashtu që të mbyllen plasaritjet dhe nyjet e zgjerimit në mure dhe tavane.

Këshillë: Caktoni një person përgjegjës që të kontrollojë rregullisht piketat kundër brejtësve dhe të kujdeset për rifreskimin e materialeve të vendosura brenda tyre.