Ileitis, PIA – Një patogjen i vjetër godet përsëri
Përpunuar nga Klevis Xhardja
Bakteri Lawsonia intracellularis, përgjegjës për një sërë sëmundjesh intestinale te derrat, është përshkruar që në vitin 1931. Sëmundja njihet me emërtimet ileitis, enteropati proliferative e derrit (PIA) ose kompleks adenomatoz intestinal. Ileiti i derrit është një patologji me përhapje mbarëbotërore dhe incidenca e tij është rritur ndjeshëm pas ndalimit të përdorimit të përmirësuesve të performancës me bazë antibiotike në ushqim. Mendohet se këta përmirësues mbanin nën kontroll florën intestinale patogjene, duke kufizuar shfaqjen klinike të sëmundjes. Rëndësia ekonomike e ileitit është e konsiderueshme, pasi te kafshët e prekura vërehet përkeqësim i konvertimit ushqimor deri në 0.3 njësi, ulje e shtimit ditor në peshë deri në 25%, rritje e konsumit të ushqimit dhe zgjatje e periudhës së majmërisë. Këto pasoja përkthehen në kosto të shtuara për fermerin. Studime të realizuara në SHBA raportojnë humbje ekonomike nga 2 deri në 3 dollarë për derr në raste të lehta dhe deri në 15 dollarë për kafshë në forma të rënda.
Si infektohen kafshët?
Lawsonia intracellularis është një bakter obligativ intracelular që shumohet në enterocite, kryesisht në ileum dhe në pjesët distale të zorrës së hollë. Interesant është fakti se sëmundja nuk manifestohet te derrat gnotobiotikë (pa mikroflora intestinale), ndërsa kafshët e rritura në kushte konvencionale infektohen lehtësisht dhe zhvillojnë shenja klinike. Kjo sugjeron se prania e mikroorganizmave të tjerë intestinalë, si Escherichia coli ose patogjenët e dizenterisë (Brachyspira spp.), luan rol bashkëveprues në patogjenezë. Bakteri eliminohet me feçe, ndaj feçet e kontaminuara përbëjnë burimin kryesor të infeksionit. Gicat në periudhën e gjidhënies mbrohen nga antitrupat maternë të marrë përmes kulloshtrës deri rreth javës së tretë të jetës. Mosha e infektimit ndryshon sipas fermës, por zakonisht ndodh ndërmjet javës së gjashtë dhe të njëzetë të jetës.
Simptomat klinike të Ileitin
Manifestimi klinik i ileitit varet kryesisht nga mosha dhe statusi fiziologjik i kafshëve. Forma kronike haset më shpesh te derrat në rritje dhe në majmëri dhe karakterizohet nga rritje e pabarabartë brenda tufës, përkeqësim i konvertimit ushqimor deri në 0.3 njësi dhe ulje e shtimit ditor në peshë deri në 80 gramë. Diarreja është zakonisht intermittente, me feçe të buta deri ujore, me ngjyrë të verdhë-kafe, dhe mund të zgjasë disa javë. Mortaliteti në këtë formë është zakonisht i ulët. Forma akute prek kryesisht kafshët më të rritura në fazën e majmërisë dhe karakterizohet nga enterit hemorragjik. Diarreja është e ujshme dhe me ngjyrë të zezë për shkak të pranisë së gjakut të tretur, ndërsa kafshët shfaqin zbehje të mukozave dhe mund të ngordhin brenda 24 orëve si pasojë e dehidratimit dhe anemisë. Forma subklinike ose latente është më e vështirë për t’u identifikuar, pasi shfaqet vetëm me ulje të performancës prodhuese pa shenja të dukshme klinike.

Është e rëndësishme të theksohet se jo çdo rast diarreje te derrat është ileitis. Infeksionet e përziera me patogjenë të tjerë intestinalë, si Brachyspira spp. ose E. coli, janë të shpeshta. Diagnoza e saktë vendoset përmes kombinimit të anamnezës, shenjave klinike, gjetjeve në autopsi dhe konfirmimit laboratorik të pranisë së Lawsonia intracellularis. Në ekzaminimin post-mortem vërehet trashje e murit të zorrëve dhe palosje të theksuara të mukozës, veçanërisht në ileum dhe në kolon, me pamje karakteristike të ngjashme me përdredhjet cerebrale. Në formën akute konstatohet prani e hemorragjive dhe koagulumesh gjaku në lumenin intestinal, ndërsa në formën kronike evidentohen zona nekrotike dhe depozitime masive në mukozë që reduktojnë ndjeshëm lumenin e zorrëve. Kontrolli i sëmundjes bazohet në dy parime themelore: uljen e ngarkesës bakteriale dhe ndërprerjen e zinxhirit të infeksionit. Në fazat akute rekomandohet trajtimi me antibiotikë efektivë nëpërmjet ujit të pijshëm ose ushqimit, duke respektuar kohëzgjatjen dhe dozimin adekuat. Kafshët me shenja të theksuara klinike duhet të izolohen dhe, nëse refuzojnë ushqimin, të trajtohen me injeksione. Duke qenë se diarreja shkakton humbje të konsiderueshme të lëngjeve dhe çrregullime të tretjes, sigurimi i hidratimit adekuat është thelbësor. Masat e menaxhimit përfshijnë optimizimin e kushteve mikroklimatike në stallë, mbajtjen e bokseve të thata, shmangien e mbipopullimit dhe përzierjes së grupeve, zbatimin e sistemit “all-in/all-out”, si dhe pastrimin dhe dezinfektimin rigoroz me produkte efektive. Kujdes i veçantë duhet treguar gjatë futjes së dosave të reja në ferma të infektuara. Trajtimi i tyre para se të kenë pasur kontakt të mjaftueshëm me patogjenin mund të pengojë zhvillimin e imunitetit natyror, duke i lënë ato të ndjeshme pas ndërprerjes së mjekimit dhe duke kontribuar në ruajtjen e zinxhirit të infeksionit si bartëse të heshtura. Trajtimi duhet të planifikohet në mënyrë që të mos pengojë krijimin e mbrojtjes imunitare. Në aspektin parandalues, aktualisht është në dispozicion një vaksinë me virus të gjallë e autorizuar për përdorim te derrat mbi tre javë. Koha e vaksinimit është faktor kritik dhe duhet të planifikohet të paktën tre javë përpara periudhës së pritshme të infektimit, çka mund të përcaktohet përmes analizave serologjike të tufës. Vaksina administrohet nëpërmjet ujit të pijshëm ose direkt në gojë. Për shkak se bëhet fjalë për vaksinë të gjallë, nuk rekomandohet përdorimi i antibiotikëve tre ditë para dhe tre ditë pas vaksinimit. Gjithashtu, uji i përdorur për vaksinim nuk duhet të përmbajë dezinfektues apo mbetje kimike që mund të çaktivizojnë vaksinën. Para aplikimit të vaksinës, është e domosdoshme një diagnozë e plotë, pasi dëmtimet intestinale shpesh janë rezultat i bashkëveprimit të Lawsonia intracellularis me patogjenë të tjerë. Vaksina vepron vetëm kundër Lawsonia-s, ndaj kontrolli i plotë i sëmundjes kërkon një qasje të integruar që përfshin menaxhim, biosiguri dhe kontroll të patogjenëve të tjerë intestinalë.

+355 (0) 44813303
agri@ap.com.al

