Cirovirusi te gicat

Përpunuar nga Klevis Xhardja

SCHAUMALAC M 70

Në vitin 1991 u raportua për herë të parë nga Kanadaja dhe më pas nga vende të tjera me numër të lartë të derrave si SHBA, Franca, Spanja, Danimarka, Irlanda dhe Anglia, për një sëmundje që prekte kryesisht gicat në moshën 4 deri 12 javëshe. Simptomat qartësisht të dukshme përfshijnë dobësim dhe sëmundje respiratore, zbehje të pashpjegueshme, ndonjëherë të shoqëruara me verdhëz pak a shumë të rëndë, qime të ashpra dhe diarre. Termi PMWS (Sindroma e Dobësimit Multisistemik Pas Gjirit) u krijua në Kanada për këtë sëmundje, që në shqip do të thotë përafërsisht: “Ngecje rritjeje pas shkëputjes nga nëna për shkak të sëmundjes së disa sistemeve të organizmit.” Kjo sëmundje, e cila shkaktohet nga një virus me një strukturë acidi nukleik në formë unaze (pra “cirkovirusi”), është vënë re edhe në Gjermani që nga viti 1998.

Pamja klinike: “Sëmundja e dobësimit te gicat”

Në rastin e parë të përshkruar në Gjermani, problemet lindën fillimisht te dosat: lindje të zgjatura me gica të dobët dhe të paaftë për jetë, zvogëlim i madhësisë së pjellës, rendiment i dobët i qumështit dhe rritje e sekrecioneve nga dosat pas lindjes. Në fazën e rritjes së gicave u shfaqën humbje të dukshme, që shoqëroheshin me dhimbje anësore të barkut, temperaturë dhe kollitje në një pjesë të madhe të kafshëve. Preken 25% deri 30 % e tyre, fillimisht në njësinë e pas-shkëputjes dhe më vonë edhe në fazën e parë të majmërisë. Ndonjëherë simptomat shfaqen që në stallën e pjelljes: disa gica thithës fillojnë të teshtijnë, të fishkëllojnë në frymëmarrje ose të kolliten me lagështi, çka në disa raste i ngjan një infeksioni të hershëm me mikoplazma. Kafshët shpesh janë të zbehta dhe kanë qime të gjata. Disa gica shfaqin rrjedhje ujore nga sytë, por pa skuqje të konjuktivës siç ndodh, për shembull, tek infeksioni me PRRS. Në disa raste sytë ngjiten plotësisht nga rrjedhja. Ndërkohë, gicat fillojnë të dallohen dukshëm nga njëri-tjetri: të prekurit bëhen më pak aktivë, kanë temperaturë, ecja bëhet e paqëndrueshme, bëhen dukshëm më të ndotur e më të zbehtë, dobësohen shpejt dhe ngordhin. Kjo dobësi e theksuar, që nuk ndikohet nga mjekimet, i dha kësaj sëmundjeje të re emrin e saj. Surprizues është fakti që edhe brenda të njëjtës stallë, brenda të njëjtës pjellë, disa gica mund të zhvillohen normalisht. Ata shpesh ndahen dhe bashkohen me disa të tjerë më të shëndetshëm, duke formuar pjella të shëndetshme. Gicat e sëmurë që arrijnë të kalojnë në njësinë e pas-shkëputjes, mbeten aty “të bllokuar”: rritja e tyre ndalon përfundimisht. Aty shihen gicat e njohur edhe nga infeksioni PRRS – me trup të ashpër, kokë të zgjatur si e një derri më të madh, ndërsa trupi prapa mbetet si i një gici të vogël. Shpejt përhapet lajmi tek mbarështuesit se këto kafshë nuk rriten më, dhe prodhuesi mbetet me gicat e tij pa i shitur. Si pasojë, njësia e pas-shkëputjes bëhet gjithnjë e më i mbipopulluar, çka e nxit më shumë infeksionin për shkak të presionit në rritje. Kështu, ecuria e sëmundjes përkeqësohet edhe më tej.

Shkaktari: Circovirusi porcin (PCV)

Shkaktari i dyshuar i kësaj sëmundjeje – Circovirusi – gjendet te derrat në dy tipe: Circovirusi porcin i tipit 1 dhe Circovirusi porcin i tipit 2, me të cilin për herë të parë u arrit të shkaktohej PMWS tek gicat e porsalindur. Në këto eksperimente, dëmtimet karakteristike për PMWS shfaqeshin ose pas dozave shumë të larta infektuese, ose kur infeksioni ndodhte njëkohësisht me virusin e parvovirusit të derrave. Efekt të ngjashëm përforcues mund të kenë edhe viruset PRRS dhe një numër i madh bakteresh, p.sh. streptokokët. Të dy llojet e circovirusit duket se shumohen në një gamë të gjerë qelizash (qeliza të imunitetit, qeliza muskulore etj.); për dallim nga tipi 1, tipi 2 ka aftësi të shumohen posaçërisht edhe në limfocite. Si pasojë, sistemi imunitar dobësohet, gjë që i hap rrugë shfrytëzimit nga mikrobe të tjera patogjene.

Shumë rrugë transmetimi janë të mundshme

Transmetimi vertikal, pra infektimi i gicave ende të palindur në mitër, nuk mund të përjashtohet. Një infektim i gicave pas lindjes, ku dosa ose dosa e re shërben si rezervuar i virusit, konsiderohet i sigurt. Përveç kësaj, infeksioni mund të përhapet horizontalisht, domethënë përmes kontaktit direkt nga kafsha në kafshë, ose indirekt përmes ajrit, si dhe përmes vektorëve të gjallë ose të pajetë. Gjithashtu nuk përjashtohet mundësia që disa kafshë ta mbajnë virusin pa treguar simptoma. Përveç virusit, gicat marrin nga dosa antitrupa maternalë përmes kolostrumit, kohëzgjatja dhe niveli mbrojtës i të cilëve varet nga përqendrimi. Në varësi të kësaj, shenjat klinike te gicat shfaqen më herët ose më vonë.

Zbulimi i virusit më i sigurt se sa zbulimi i antitrupave

Për shkak se simptomat klinike janë të ndryshueshme, sëmundja është mjaft e vështirë për t’u diagnostikuar klinikisht. Ajo mund të ngatërrohet lehtë, p.sh. me PRRS. Nëse diagnoza bëhet përmes gjakut me imunofluoreshencë indirekte ose ELISA, kërkohet një numër i mjaftueshëm mostrash gjaku për të marrë një diagnozë të sigurt për tufën. Më i sigurt është zbulimi i vetë virusit, që aktualisht kryhet vetëm në disa laboratorë të veçantë. Për këtë dërgohen më së miri nyjet limfatike të ndryshuara (dy copë), shpretka, mushkëri, veshka të dëmtuara dhe mëlçia.

Pothuajse të gjitha organet preken

Në autopsinë e kafshëve të ngordhura, shihen ndryshime në shumë organe, përveç sistemit nervor qendror. Gjetja më e zakonshme është atrofia muskulore dhe dobësimi i dukshëm i kafshëve. Nyjet limfatike shpesh janë shumë të zmadhuara, sidomos ato të zorrëve dhe nyjet limfatike inguinale sipërfaqësore. Edhe mushkëritë bien në sy: ato shpesh nuk janë të kolapsuara, duken të rënda për shkak të përmbajtjes së gjakut dhe kur preken japin përshtypjen e gomës. Në disa raste vërehet verdhëz (në SHBA deri në 20 % të rasteve), ndonjëherë e shoqëruar me mëlçi të ndryshuar nga inflamacioni. Nga Franca raportohen deri në 30 % të rasteve me ulçera gastrike, si dhe rreth 20 % të rasteve me ndryshime të dukshme në veshka (të zbehta dhe të zmadhuara).

Ndërprerja e zinxhirit të infeksionit

Aktualisht nuk ka ende vaksinë kundër kësaj sëmundjeje virale, duhet të merret çdo masë e mundshme për të thyer zinxhirin e infeksionit dhe kështu për të zvogëluar presionin e infeksionit. Ky infeksion i re tregon një tendencë të qartë për t’u përhapur dhe duket të jetë një problem serioz për prodhimin e derrave. Shpesh, sëmundja komplikohen nga superinfeksione me viruse ose baktere të tjera. Në disa ferma raportohet shkallë sëmundshmërie deri në 60 %, me vdekshmëri deri në 20 %. Sipas njohurive të deritanishme, disa kompani farmaceutike po punojnë intensivisht për zhvillimin e një vaksine kundër Circovirusit porcin të tipit 2.

Masat kundër PMWS:

  • Pjellje strikte me grupe të veçuara.
  • Sistemi “hyn-dhe-del” i rreptë për çdo repart të stallës.
  • Pastrim dhe dezinfektim paraprak, përfshirë dushet e dosave: edhe pse shkaktari nuk eliminohet plotësisht, mund të parandalohet bashkë-infektimi me viruse e baktere të tjera.
  • Zbatimi më i saktë i programeve rutinë të vaksinimit, sidomos për tufën e dosave. Nëse diagnostikat tregojnë nevojë për vaksinime shtesë, ato duhet të kryhen po aq rreptësisht. Suksesi varet nga rregullsia dhe qëndrueshmëria.
  • Kontroll i rreptë i ektoparazitëve dhe endoparazitëve: ato e dëmtojnë kafshën, janë në kuptimin e plotë të fjalës “bashkë-ngrënës”.
  • Siguroni ushqim me cilësi të lartë (mos kurseni në ushqim!).
  • Eliminimi i gicave të dobët në njësinë e pas-shkëputjes.
  • Përdorimi i antibiotikëve kundër infeksioneve bakteriale sekondare.